Bello: Lojërat Mesdhetare 2030 sjellin ekspozim botëror për Kosovën
Kryetari i Komisionit Koordinues të Lojërave Mesdhetare Taranto 2026 thotë se ndërtimi i infrastrukturës mbetet sfida kryesore para 2030.
PRISHTINË — Organizimi i Lojërave Mesdhetare është "një mundësi e madhe" për çdo shtet që merr përsipër një ngjarje të tillë, pasi përveç zhvillimit të infrastrukturës sportive sjell edhe promovim ndërkombëtar dhe eksperiencë të re organizative, ka deklaruar kryetari i Komisionit të Koordinimit të Lojërave Mesdhetare Taranto 2026, Stavri Bello.
Bello foli për KosovaPress, në emisionin "SportCast", për rëndësinë e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 për Kosovën. Sipas tij, edicioni përfshin vetëm 26 shtete të Mesdheut, por sot Lojërat transmetohen në mbarë botën përmes kontratave televizive, duke i dhënë vendit organizator ekspozim shumë më të gjerë se rajoni mesdhetar.
Ai theksoi se zhvillimi i burimeve njerëzore është një nga përfitimet kryesore për vendin organizator, i cili fiton eksperiencë për të organizuar edhe evente të tjera të mëdha më vonë. Si shembull solli Algjerinë, ku qyteti i Oranit, pasi priti Lojërat e kaluara, u kthye në qendër të eventeve sportive afrikane.
Sipas Bello-s, sfida kryesore mbetet ndërtimi i infrastrukturës sportive, ndërsa çdo vonesë rrezikon të rrisë kostot dhe të dëmtojë cilësinë e projekteve. "Deri tani ecuria është mjaft e mirë, por duhet konkretizuar me veprime konkrete," tha ai në "SportCast".
Bello bëri thirrje që të gjitha institucionet të mobilizohen, duke theksuar se Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 i shërbejnë imazhit të vendit, kualifikimit të burimeve njerëzore dhe të ardhmes së rinisë në Kosovë e në Shqipëri. "Të gjithë të bëjnë diçka, të vënë një tullë," tha ai.
Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 janë një nga projektet sportive më të mëdha në historinë e Kosovës. Për herë të parë, vendi do të jetë nikoqir i një ngjarjeje të këtij niveli ndërkombëtar, duke pritur mijëra sportistë nga 26 shtetet e rajonit të Mesdheut.
Burim: Alsat-M
— Redaksia ZHURMA