Arrestohet 46-vjeçari pas letrës kërcënuese në zyrën e presidentes
Policia e Maqedonisë së Veriut ka ndaluar një person pas zbulimit të një letre me përmbajtje kërcënuese në zyrën e presidentes.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar privimin nga liria të një 46-vjeçari me inicialet V.K., pasi në zyrën e presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, u gjet një letër me përmbajtje kërcënuese. I dyshuari është lokalizuar përmes pamjeve të kamerave të sigurisë menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në rrugën „Dimitrija Çupovski“ në qendër të Shkupit.
Rasti ishte denoncuar në polici në orën 09:50, pasi punonjësit e zyrës presidenciale kishin zbuluar letrën më 18 nëntor. Përmbajtja e shkresës nuk është bërë publike dhe mbetet e panjohur se kujt i drejtoheshin kërcënimet. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj personit të ndaluar pritet të ngrihet kallëzim përkatës penal nga autoritetet.



