Aria Tamniku fiton çmimin e tretë dhe bursën në Vjenë
Pianistja 9-vjeçare nga Kosova, Aria Tamniku, shkëlqen në garën ndërkombëtare në Vjenë duke fituar çmimin e tretë dhe bursë edukimi.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Pianistja nëntëvjeçare Aria Tamniku është vlerësuar me Çmimin e Tretë në garën «International Piano Balkan Competition – Vienna 2026», duke u paraqitur si përfaqësuesja e vetme nga Kosova në këtë grupmoshë. Ajo ka performuar gjithashtu në Gala Koncertin e mbajtur në Mozarthaus Vienna, ndërsa talenti i saj është kurorëzuar edhe me një bursë për edukim të mëtejshëm pianistik nga «Balkan Thalberg Piano».
Aria ushtron piano prej moshës katërvjeçare dhe gjatë karrierës së saj ka garuar në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, ku është shpërblyer me çmime të ndryshme. Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e dhënë nga profesorët Besarta Guri Bobaj dhe Giuseppe Devastato, si dhe nga Piano Balkan Academy, Balkan Thalberg Piano dhe Melisa Ibrahimi.



