Task Forca anti-drogë arreston 241 persona brenda një muaji
Gjatë aksioneve policore u sekuestruan 43.3 kilogramë marihuanë dhe u bllokua një transport ndërkombëtar në pikën kufitare Deve Bair.
SHKUP — Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për rezultatet e para të Task Forcës për luftën kundër tregtisë së paligjshme të drogës, duke arrestuar 241 persona brenda një muaji nga formimi i saj.
Në kuadër të sekuestrimeve, policia ka kapur 43.3 kilogramë marihuanë, 693.37 gramë kokainë, 141.42 gramë hashash dhe 691.34 gramë amfetaminë. Gjithashtu, u gjetën 50 gramë kërpudha halucinogjene, 541 tableta ekstazi, 69 tableta LSD dhe 14 tableta MDMA.
Përveç këtyre, autoritetet ndërprenë një transport ndërkombëtar të rreth 25 kilogramëve marihuanë në pikën kufitare të Deve Bairit. Për këtë periudhë u ngritën 21 kallëzime penale ndaj 29 personave, si dhe u kryen 131 kontrolle në shtëpi, 935 inspektime automjetesh dhe 1.078 kontrolle të personave fizikë.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë deklaruar se lufta ndaj tregtisë së jashtëligjshme të narkotikëve do të vazhdojë me intensitet edhe më të madh.
Burim: Portalb
— Redaksia ZHURMA