Senati amerikan hap rrugë për 74 emërime — përfshihet kandidati për Shqipërinë
Rezoluta u miratua me 50 vota pro, 47 kundër dhe 3 abstenime
UASHINGTON — Senati i SHBA-ve i hap rrugë votimit në bllok të 74 emërimeve të administratës duke miratuar një rezolutë, në të cilën përfshihet edhe kandidatura e Eric Wendt si ambasador në Shqipëri. Sipas kësaj rezolute, të gjitha emërimet do të shqyrtohen dhe votohen së bashku, në vend që secila të trajtohet veçmas.
Wendt u nominua nga presidenti Donald Trump si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i SHBA-ve në Shqipëri, por kjo rezolutë nuk lidhet me konfirmimin e tij në këtë detyrë. Rezoluta u miratua të enjten me 50 vota pro, 47 kundër dhe 3 abstenime.
Në dëgjesën publike në Senat, Wendt ka renditur si prioritete kryesore luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e partneritetit ushtarak mes SHBA-së dhe Shqipërisë, sigurinë kibernetike dhe krijimin e një klime më të favorshme për investimet amerikane. Ai shprehu gjithashtu mbështetje për SPAK-un, të cilin e cilësoi një institucion të rëndësishëm, duke vlerësuar bashkëpunimin e tij me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.
Burim: Shqiptarja, https://shqiptarja.com/lajm/senati-i-shbave-i-hap-rruge-votimit-ne-bllok-te-74-nominimeve-mes-tyre-edhe-eric-wendt-i-shqiperise
— Redaksia ZHURMA