Policia Rrugore bën bilancin: Mbi 4 mijë gjoba dhe 8 arrestime në 24 orë
Gjithashtu janë arrestuar 8 shoferë, nga të cilët 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 për drejtim pa leje drejtimi
PRISHTINË — Policia Rrugore ka vendosur 4 255 gjoba në 24 orët e fundit, gjatë një operacioni masiv për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.
Gjithashtu janë arrestuar 8 shoferë, nga të cilët 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 për drejtim pa leje drejtimi.
Policia Rrugore ka publikuar bilancin e kontrolleve të kryera gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.
“Gjatë 24 orëve të fundit, shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin kanë intensifikuar kontrollet dhe monitorimet në akset rrugore, me qëllim parandalimin e sjelljeve të rrezikshme në timon dhe garantimin e një qarkullimi sa më të sigurt për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Si rezultat i kontrolleve, janë vendosur 4 255 masa administrative për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, tha policia.
Në zonat urbane janë vendosur 1 530 masa administrative për parkime të gabuara, ndërsa me përdorimin e mjeteve ngritëse të Policisë së Shtetit janë larguar automjetet e parkuara në korsitë e dedikuara dhe në trotuare, të cilat pengonin lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Në akset rrugore nacionale janë vendosur 1 331 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, një nga faktorët kryesorë që ndikon në rëndimin e pasojave të aksidenteve rrugore.
Policia ka evidentuar edhe shkelje të tjera që cenojnë sigurinë rrugore. Janë konstatuar drejtues që nuk kanë vendosur kaskën mbrojtëse, të tjerë që nuk kanë përdorur rripin e sigurimit, si dhe raste të përdorimit të celularit gjatë drejtimit të automjetit.
Po ashtu, janë regjistruar parakalime të gabuara, drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, si dhe manovra të rrezikshme e krijim zhurmash në qendrat urbane.
“Në këtë kuadër, janë arrestuar 8 drejtues automjetesh, nga të cilët 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 për drejtim pa leje drejtimi.
Prezenca e Policisë Rrugore është shtuar në terren, veçanërisht në akset kombëtare dhe drejt zonave bregdetare e turistike, duke përdorur mjete inteligjente për monitorim më efikas.
Policia Rrugore apelon për kujdes maksimal nga të gjithë drejtuesit e automjeteve, duke i ftuar ata të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të shmangin çdo sjellje që rrezikon jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.
Burim: Gazeta Tema, https://www.gazetatema.net/kronika/policia-rrugore-ben-bilancin-mbi-4-mije-gjoba-dhe-8-arrestime-ne-24-ore-i575228
— Redaksia ZHURMA
Të ngjashme
sipas temës · #shqiperi
Bashkitë e Korçës kërkojnë qendra për autizëm dhe një rezidencë për të moshuarit

Imazh i Gonzatos dhe Luarasi kapur për dore është gjeneruar me AI

Dy ish-zyrtarë të AMP-së dënohen për shpërdorim detyre

Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.