Pse mungon uji në Bërnicë të Epërme?
Banorët paguajnë fatura, por nuk kanë ujë të pijshëm; Kompania Rajonale e Ujësjellësit thotë se janë në dijeni të këtij problemi
— Banorët e fshatit Bërnicë e Epërme tash e disa vjet janë në hall me mungesën e ujit. Edhe pse në këtë fshat ekziston rrjeti i ujësjellësit e banoret paguajnë fatura, ata prapëseprapë në kohën më të madhe nuk kanë ujë të pijshëm.
Banori Bajrush Rrahmani ka thënë se ujin nga pusi nuk mund ta shfrytëzojnë për pije, andaj sipas tij, detyrohet të bëjë zgjidhje dika tjetër për këtë çështje.
“Mungesa e ujësjellësit neve na pengon shumë, unë jetoj këtu qe tetë vjet me familje, fare se di as kur ka ujësjellës, as kur vjen, as kur nalet, nuk merrem me të hiç. Unë kam bunar, por prej bunarit as nuk ziejmë, as nuk pimë çaj as asgjë. Unë shkoj në Zajqevc për ujë të pijshëm, edhe për me përgatit bukën me të”, ka thënë ai.
Edhe Shaban Rushiti ka deklaruar se prej kur banon në Bërnicë të Epërme ka pasur probleme me furnizim nga ujësjellësi. “Prej që kam ardhur kemi pas telashe me ujë. Nejse kemi hap në disa bunarë, por thatësia kur merr po humb edhe uji. Ne kemi mungesë të ujit për pastrim, për pije për gjithçka. E ku është problemi unë nuk e di, sepse nuk po e akuzoj, por që tre vjet prej kur kam ardhur këtu u kanë problemi me ujë”, ka thënë Rushiti.
Në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” kanë thënë se janë në dijeni të këtij problemi. Zëdhënësja Arjeta Mjeku është shprehur se dikush nga banorët po manipulohet me rrjetin e ujësjellësit.
“Problemi në Bernicën e Epërme lidhet me një situatë ndërmjet vetë banorëve të asaj zone. Ne kemi dërguar ekipin në terren për të verifikuar gjendjen dhe për të identifikuar shkakun e problemit. Nga konstatimet e ekipit tonë rezulton se dikush po manipulon me valvulat e rrjetit, duke i mbyllur dhe duke i hapur ato. Sa i përket anës sonë, infrastruktura dhe funksionimi i sistemit janë në rregull. Problemi po shkaktohet nga ndërhyrjet e paautorizuara në pajisjet e infrastrukturës, përkatësisht nga manipulimi me valvulat”, ka thënë Mjeku.
Mjeku ka bërë të ditur se janë në proces të fillimit të ndërtimit të rezervuarit të ri të ujit në këtë fshat, i cili sipas saj, do ta zgjidhë këtë problem.
Burim: Koha.net, https://www.koha.net/arberi/banoret-e-bernices-se-eperme-paguajne-per-ujin-e-uje-nuk-kane
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.