Kufizim për mjetet e rënda në urën e lumit Mat
Barriera betoni në urën e Matit ndalojnë mjetet mbi 13 tonë, pas punimeve për themelet.
Ura mbi lumin Mat, në aksin nacional Lezhë-Milot, është vënë nën kufizim për automjetet e rënda. Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore kanë vendosur barriera betoni në të dyja anët, për të ndaluar mjetet që kalojnë peshën e lejuar prej 13 tonësh.
Masa vjen pas një ndërhyrjeje emergjente për përforcimin e themeleve, e kryer disa muaj më parë. Monitorimet në terren kanë treguar se disa automjete të rënda e kanë shkelur kufizimin, pavarësisht sinjalistikës. Drejtuesit e mjeteve shprehen se struktura ka ende probleme dhe dyshojnë për cilësinë e investimit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se kufizimi nuk lidhet me ndonjë dëmtim të urës, por është masë parandaluese për të mbrojtur punimet në themele dhe për të garantuar qëndrueshmërinë afatgjatë. Për rikonstruksionin e urës, e cila është 844 metra e gjatë, u akordua një fond emergjent prej 107 milionë lekësh, ndërsa punimet zgjatën rreth 8 muaj.