Pse u arrestua shqiptari Dorian Puka në Britaninë?
Puka, i cili ka precedentë penale për vjedhje, u arrestua pasi publikoi një video në Instagram ku shfaqet duke u dhënë qenve të tij tufa me kartëmonedha paund
Londra — Një 29-vjeçar shqiptar, Dorian Puka, është kthyer në qendër të vëmendjes në Britaninë e Madhe, pasi publikoi një video në rrjetet sociale ku shfaqet duke u dhënë qenve të tij tufa me kartëmonedha paund. Pamjet kanë ngjallur reagime të shumta, ndërsa ndaj tij vijojnë procedurat ligjore për deportim.
Bëhet fjalë për Dorian Pukën, i cili, sipas mediave britanike, ka precedentë penalë për vjedhje me thyerje dhe është dëbuar dy herë nga Mbretëria e Bashkuar. Autoritetet dyshojnë se ai është rikthyer në vend në mënyrë të paligjshme dhe po përballet me një tjetër proces për largimin e tij.
Në videon që u bë virale, Puka shfaqet ulur në një kolltuk, ndërsa u jep qenve të tij, një pitbull me emrin “Cobra” dhe një pug të quajtur “Mouse”, kartëmonedha prej 20 dhe 50 paundësh. Sipas raportimeve, gjatë 18 muajve të fundit ai ka publikuar vazhdimisht në Instagram video dhe fotografi ku ekspozon një stil jetese luksoz.
Në postimet e tij shfaqen koleksione orësh Rolex, të vlerësuara rreth 160 mijë paund, si dhe automjete luksoze, mes tyre një Ferrari dhe një Lamborghini Urus V8 të vitit 2022, me vlerë rreth 180 mijë paund. Mediat britanike raportojnë se Puka ndodhet për herë të tretë përballë rrezikut të deportimit, pasi autoritetet fituan një proces në gjykatën e emigracionit pas refuzimit të kërkesës së tij për azil.
Megjithatë, ai e ka ankimuar vendimin dhe procedurat ligjore vijojnë. Për shkak të dënimeve të mëparshme penale, ai konsiderohet subjekt i deportimit automatik sipas legjislacionit britanik. Megjithatë, prej më shumë se tre vitesh ai ka mbetur në territorin britanik, pasi proceset gjyqësore dhe shqyrtimi i kërkesës për azil kanë penguar ekzekutimin e vendimit.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike deklaroi se autoritetet po punojnë për largimin e tij sa më shpejt të jetë e mundur. “Ky person është një shtetas i huaj me precedentë penalë dhe ne po ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për ta larguar nga Mbretëria e Bashkuar. Për shkak të procedurave ligjore në zhvillim nuk mund të japim detaje të tjera.
Ndërkohë, Sekretarja e Brendshme, Shabana Mahmood, ka propozuar ndryshime ligjore që synojnë ta bëjnë më të vështirë përdorimin e argumenteve të lidhura me të drejtat e njeriut apo azilin për të penguar deportimin e personave të dënuar.
Burim: Ora News
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.