PS depoziton projektligjin e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve
Paga referuese barazohet me koeficientin 0.38 të pagës së Presidentit; efekti financiar shtrihet prej 1 prillit 2023.
TIRANË — Një ditë para mbylljes së sesionit parlamentar, mazhoranca socialiste ka depozituar në Kuvend ndryshimet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në limit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Drafti reflekton detyrime të lindura për pagat e magjistratëve, pas vendimit të trupës më të lartë të drejtësisë. Në relacionin shoqërues, socialistët pohojnë se për referencë kanë marrë pagën e Presidentit të Republikës, me koeficient 0.38.
Sipas Grupit Parlamentar të PS, paga referuese bazë për funksionet gjyqësore e të prokurorisë indeksohet me vendim të Këshillit të Ministrave, jo më vonë se dy vjet nga indeksimi i fundit, dhe niveli i indeksimit nuk kalon një pikë përqindje mbi targetin e inflacionit të Bankës së Shqipërisë — pra jo mbi 3.1 për qind.
Rritja që kërkuan magjistratët kur iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese ishte ndjeshëm më e lartë, çka atëherë solli edhe reagimin e Kryeministrit Rama. Socialistët arsyetojnë se koeficienti i ruajtur mban balancën mes proporcionalitetit të pagave në sektorin publik dhe shmangies së pasojave për financat e shtetit.
PS-i thotë se magjistrati më i thjeshtë barazohet në pagë me Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin, në masën 0.91 të pagës së Presidentit. Ndryshimet hyjnë në fuqi 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare, por i shtrijnë efektet financiare prej datës 01.04.2023, sipas përcaktimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Burim: A2 CNN
— Redaksia ZHURMA




