Mickoski konfirmon bisedime me gjashtë kompani për Data-Qendrë në Shkup
Kryeministri thotë se po shqyrtohen lokacione dhe po negociono me gjashtë firma, përfshirë Rumble dhe DFC-n amerikane.
SHKUP — Kryeministri Hristijan Mickoski ka konfiruar se Qeveria e Maqedonisë së Veriut po zhvillon bisedime me gjashtë kompani për financimin ose realizimin e Data-Qendrës Kombëtare në Shkup. Njëkohësisht po analizohet një vendndodhje e mundshme për ndërtimin e objektit.
Mes kompanive të interesuara u përmend "Rumble", e lidhur me Chris Pavlovskin, e cila ka blerë një kompani në Gjermani dhe vlerësohet në rreth pesë miliardë dollarë. Mickoski tha se kontaktet me Pavlovskin dhe "Rumble" kanë nisur tashmë. Përveç kësaj, gjatë vizitës në Washington janë mbajtur diskutime edhe me Korporatën Financiare të SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC) lidhur me financimin e projekteve strategjike.
Kryeministri e kundërshtoi kritikimet e opozitës rreth teknologjisë së ftohjes dhe ndikimit në mjedis, duke argumentuar se data-qendrat moderne mund të funksionojnë me sisteme të ndryshme ftohjeje, si ajri ose gazi ftohës. Emrat e pesë kompanive të tjera dhe hollësitë e negociatave nuk janë bërë ende publike.