Kosova rrezikon 60 milionë euro nga bllokada në Kuvend?

Pse po vonohen fondet e Planit të Rritjes dhe sa mund të kushtojë paraliza institucionale?

Kosova rrezikon 60 milionë euro nga bllokada në Kuvend?
Foto: Héctor Berganza / Pexels

PRISHTINË — Takimi i Komitetit Monitorues Bashkim Evropian–Kosovë për Instrumentin për Reforma dhe Rritje u mbajt me paralajmërime për humbje të qindra miliona eurove. Jeton Zulfaj, koordinator kombëtar për IRRrE, deklaroi se deri në fund të qershorit rrezikohen 9 hapa me vlerë afër 60 milionë eurosh.

"Fatkeqësisht bllokada në Kuvend vazhdoi këtë vit duke vonuar tutje reformat e nevojshme që kryesisht janë ligje që duhet kaluar në kuvend", ka thënë Zulfaj.

Afati i parë kritik është 30 qershori. Atëherë skadon periudha grejs për këta hapa, përfshirë Ligjin për Energjinë. Por Kosova nuk do të ketë as Kuvend as qeveri funksionale deri më 6 korrik — kur KQZ-ja planifikon të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit.

Jiri Plecity, udhëheqës i Njësisë për Zgjerim në Komisionin Evropian, paralajmëroi edhe një afat më të rrezikuar: 15 korrikun. "Ky është gjithashtu një afat kritik, sepse shënon fundin e periudhës grejs për 13 hapat që fillimisht duhej të kryheshin në qershor 2025. Këta hapa korrespondojnë me një vlerë totale prej 91 milionë eurosh."

Plecity shtoi se deri në fund të vitit skadon periudha grejs edhe për 27 hapa të tjerë reformues me vlerë 166 milionë euro. "Ka ende kohë deri në fund të këtij viti, kështu që do t'ju inkurajoja të dyfishoni përpjekjet."

Zulfaj rikujtoi se Kosova ishte ndër vendet e para të rajonit që përmbylli negociatat për agjendën reformuese, por ratifikimi u vonua nga bllokadat në Kuvend. Marrëveshjet u ratifikuan më 13 shkurt, fondet e parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh u pranuan më 16 prill. Çdo tre muaj do të zhvillohen takime mes kryeministrit dhe ministrave për zbatimin.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i prezantuar në 2023, mbështetet nga 6 miliardë euro për 2024-2027. Kosova parashihet të përfitojë 900 milionë euro. Komisioni Evropian ka tërhequr vërejtjen se problemet politike brenda vendeve të rajonit rrezikojnë përdorimin e mjeteve.

Burim: Koha.net
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. KQZ rinumëron 185 vendvotime — sa votë ndryshon?
  2. Kush janë 5 kandidatët për kryeprokuror të Shtetit?
  3. Çfarë thotë profesori Rexhepi për gazin amerikan në Kosovë?
  4. NATO-ja zvogëlon KFOR-in në Kosovë në 3.000-3.500 trupa

Vazhdo leximin