KEK-u: Nuk ka ndërprerje të paplanifikuara të prodhimit
Njësia A3 u rikthye sot në operim pas rrjedhjeve në kaldajë, kurse A5 është në revizionin e planifikuar deri më 10 gusht.
PRISHTINË — Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj raportimeve për ndërprerje të paplanifikuara të prodhimit dhe ka bërë të ditur se po operon në përputhje me Bilancin Vjetor të Energjisë Elektrike (BVEE) 2026. (Prodhimi i energjisë në Kosovë ra nën 50 përqind pak ditë më parë.)
KEK bëri të ditur se aktualisht në funksion janë njësitë A3 dhe A4 të Termocentralit Kosova A, si dhe njësinë B2 e Termocentralit Kosova B. Sipas korporatës, njësia A3 ishte ndalur përkohësisht për shkak të rrjedhjeve në kaldajë, por punimet teknike u përfunduan me sukses dhe ajo është rikthyer sot në operim, aktualisht në gjendje stabile.
Ndërkohë, njësia A5 e Termocentralit Kosova A gjendet në revizionin e planifikuar për periudhën 1–10 gusht 2026, në përputhje me planifikimin vjetor të BVEE 2026. KEK sqaron se kjo njësi është jashtë funksionit vetëm sipas kalendarit të planifikuar dhe jo për defekt.
Njësia B1 e Termocentralit Kosova B, e cila u raportua si jashtë prodhimit, nuk ndodhet në defekt të paplanifikuar, por po kalon përmes projektit më të madh modernizimi në historinë e saj, sipas KEK-ut. Projekti përfshin rehabilitimin e njësisë, ndërtimin e elektrofiltrave të rinj dhe instalimin e sistemit DeNOx, me përfundim të planifikuar në gjysmën e parë të muajit dhjetor 2026.
Korporata iu bëri thirrje mediave që raportimet për sektorin energjetik t'i bazojnë në njoftimet zyrtare dhe dokumentet publike. Sipas KEK-ut, raportimi i aktiviteteve të planifikuara të modernizimit dhe mirëmbajtjes si "blloqe jashtë prodhimit" nuk i shërben informimit të drejtë, por krijon konfuzion dhe dezinformon qytetarët mbi gjendjen reale të sistemit elektroenergjetik.
Burim: Gazeta Express
— Redaksia ZHURMA




